Anna Montella tradotta in lingua albanese su Albspirit Media/News/Publishing
Anna Montella është operatore kulturore dhe për komunikimin, shkrimtare, gazetare, eksperte në marketing dhe komunimim shoqëror. Nga viti 2017 është sekretare e Dhomës së Poetëve. Ka ideuar Kafe letrare: ‘Hëna dhe Dragoi’, projekt kulturor në kuadrin e së cilave organizon konkursedhe evente kulturore. Është anëtare e jurive e shumë Çmimeve letrare. Ideoi Çmimin ‘Zëra mesdhetarë’. E impenjuar në shoqëri merr pjesë në rekuperimin e memories historike. Ka marrë disa çmime si: Çmimi për kulturën 2020, Ekselenca e territorit në 2018, Çmimin special Thesaurus 2016. Në vite ka botuar librat ‘Aromë bajamesh të hidhura 2002’, ‘Shpirti në pasqyrë’ 2013, ‘Stina në mes’ 2014, ‘Dhe e shikoj botën nga një dritare 2016’, ‘Krokodilin tim e shkuaj vetë’ 2019, ‘Shiu është një gjendje shpirtërore’ 2020.
|
Trëndafilat që nuk i mblodha
Shi fijeartë e pluhur yjesh Trëndafilat dot që s’i mblodha janë gjithmonë më të bukur. Bardhësi virgjërie e një fustani nusërie Jetë të shkruara me laps mbi një petal trëndafili Aliçja në një vend me mrekulli të përjetshme Kurora të shkëlqyeshme në fundet e shisheve… Ëndrra e Lindjes në qëndisjen e një shalli Trëndafilat që dot s’i mblodha në një fluturim fluturash. Zonja e kështjellës në një përrallë të gabuar I zgjidhi gërshetat e veta bukuroshja e fjetur Aliçja librin e mbylli dhe shtriga u zgjua… Netë me hënë të plotë dhe xixëllonja të argjendta Trëndafilat që dot s’i mblodha kanë aromë ere. Të lira tashmë nga një ëndërr e krijuar në letër Gra në ditë me diell dhe ditë me furtuna Ciganja në magjinë e një libri të kristaltë Sy të shndritshëm ambre dhe buzë korali Fate që gërshetohen në një pëllëmbë dore Bija të një kohe tjetër padrone të botës… Varëse guackash dhe byzylykë në duar Të kuqe dhe plot aromë janë trëndafilat që dot s’i mblodha. |
Netëve
Drapëri i hënës në një fije ere Në blunë e thellë një yll i argjendtë Troket nata me histori magjepsëse E endur me ëndrra, me duar shtoijzovallesh… Hapa të butë… Një mace syhapët u ndal Tek dëgjonte një tingull të paqartë… Prej bufit thirrja e lashtë në qiell Një e qartë fëmije përhumbet, larg… Më pas gjithçka qetësohet, një frmëmarrje e thellë E mbush natën, atë të Natës… Në heshtjen që duket e yshtur I mundur, gjigandin e zuri gjumi… Kjo është ora e dëshirave E gjesteve të lashta dhe e mijëra mistereve Ora kur kthehen ëndrrat e rrëmbyera Të përhumbura të humbura të harruara Kur keqardhja për histori të papërmbushura Duket kujtime të jetës së jetuar E gati duket se qielli larg Mund të ciket me një të zgjatur të dorës. |
Fluturimi i Feniksit
… me britma të pazë do të end rrjeta heshtjesh Do ta lë erën ta fshijë zërin tim Do ta vesh shpirtin tim lakuriq me rrecka me ngjyrë Dhe do të ec nëpër shtigje pa emër Shtjella rëre do të m’i mbulojnë gjurmët… Hapi im i lehtë do të humbasë Mes fytyrash pa emër Dhe kënga ime do të ngrihet Mbi notat e një melodie pa tinguj… Me gishta kristali do ta shqyej kaltërsinë Duke kërkuar furtunën Dhe do ta lejoj që fluturojë përsëri me shi Të të rrëshqasin mbi lëkurën time E djegur nga akulli i mijëra dimrash… Do të ngre në shkretëtirë katedrale me duar të shtrira Dhe lule guri do të marrin jetë Nën hijen e sekreteve të harruara… Zjarre nomade do ta ndezin natën Në një lutje të heshtur Dhe cigane pa histori do të vallëzoj Në rrethin e pafund të rikthimeve… Do t’ia kthej kurrizin perëndimit të artë Do të thurr kurora me emocione Do ta rrëmbej argjendin e yjeve Dhe në sekretet e padepërtueshme të kullave pa kohë Do t’i mbyll ëndrrat dhe buzëqeshjet e mia… Si kuçedër e re do ta ngre shikimin tim mbi botën E do t’i zgjidh flokët Duke u shkrirë me ngjyrat e natës. |
Zonja Dorè
Në dhomat e kujtesës Zonja Dorè mbeti vetëm Prej shumë vajzave Zonja Fat Nuk i la as edhe një… Por në trapazanin mes pëlhurit dhe merimagave Nuk mërzitemi, numërojmë vitet Dhe mes kujtimesh, më të ëmblat dhe më të hidhurat, Janë shtrigat dhe kusarët… Është dita e parë dridhëse e shkollës Përparsja e zezë dhe aroma e vjollcës …ishin treqind, ishin të rinj dhe të fortë… Historia mashtron…kurrë nuk vdiqën, Në shtëpinë e Gjyshes Shpresë Karlota vazhdon vallëzimin e saj të përjetshëm… Fletore kuq e zi me vija Aromë fëmijërije dhe kujtime të rrëmbyera Dashuria e parë, dhimbja e parë Lotë të kaltër në një rreze dielli Një ëndërr e paqartë, një portret i zbehtë Rigjen përvijime me majën e gishtit… Zonja Doré buzëqesh mes lotëve Notat e humbura u shndërruan në këngë Dhe në dhomat e kujtesës Ende ndihet aroma e vjollcës. |
Mos u ndal pak
…dhe nëse një ditë Ti duhet të kthehesh Në vendet që të panë Tek qeshje, qaje, ëndërroje Mos u ndal një çast… E shkuara nuk ekziston më Në arratisjen drej dhomave Të kujtesës Nuk do të mund ta gjesh më Vetveten si ishe. E përhumbur, Është arratisur edhe ajo Bashkë me kujtimet Të rrëmbyera tutje Me pëlhurin e kohës. Çliroji pallamarët Nga deti i kujtesës Në aventurat Ndër tallazet e të sotmes. Lëre që barka jote E çankoruar Ta ndjekë rrymën Mos i bëj rezistencë Lëshoji flokët Dhe kapërceje furtunën. Jetoji ditët e tua Mos e ki frikë të ardhmen. Ajo që do të vijë Ende do ta ketë shikimin tënd. |
Dhe kthehet herë pas herë prapë rinia
Vitet e mrekullueshme të mundimeve Vrapi me “ tallazet e zemrës” Dashuritë adoleshente, gënjeshtrat e ëmbla Ai kuptim vagëllues nga turpi Lumi rrjedh Që nuk e njeh grykëderdhjen Të shumta pranverat dhe fluturimet guximtare Vargjet e kënduara me gjysmë zëri Ëndrrat dhe idealet të pafashitura kurrë Ndjekin njëra-tjetrën agimet dhe stinët Vera kalon shpejt dhe u ngrys tashmë Ku përfunduan këngët Sa larg që je pranvera ime E megjithatë…mjafton një fllad i lehtë … dhe herë pas here kthehet prapë rinia. |
Përktheu Arjan Kallço